Türkiye shprehet e gatshme të udhëheqë sigurinë e Detit të Zi

Sipas burimeve diplomatike turke, të informuara mbi sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi më 28 nëntor, Türkiye paralajmëron kundër rrezikut të zgjerimit të luftës drejt brigjeve të saj dhe përhapjes në gjithë rajonin e Detit të Zi.

By
Türkiye shprehet e gatshme të udhëheqë sigurinë e Detit të Zi / TRT Balkan

Türkiye në parim është e gatshme që me pjesëmarrjen e partnerëve të tjerë ta marrë përgjegjësinë dhe ta udhëheqë fushën detare në Detin e Zi në lidhje me garancitë e sigurisë që do të ofrohen bazuar në një marrëveshje paqeje të rënë dakord nga palët pas përfundimit të luftës në Ukrainë. 

Sipas burimeve diplomatike turke, të informuara mbi sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi më 28 nëntor, Türkiye paralajmëron kundër rrezikut të zgjerimit të luftës drejt brigjeve të saj dhe përhapjes në të gjithë rajonin e Detit të Zi dhe thekson se nuk do të lejojë që siguria e Detit të Zi të kërcënohet jo vetëm nga aktorët përkatës, por nga asnjë vend në botë.

Ndërsa Türkiye mbështet fuqimisht procesin e negociatave që synojnë përfundimin e luftës ruso-ukrainase, ajo pohon se vetëm Rusia dhe Ukraina kanë të drejtë ta marrin vendimin përfundimtar për çdo marrëveshje paqeje.

Që nga fillimi i luftës, Türkiye ka udhëhequr nisma në arritjen e marrëveshjeve për çështje të rëndësishme si Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi dhe shkëmbimet e të burgosurve, si dhe i jep përparësi përfundimit të luftës.

Ndërsa lufta i ka dëmtuar si Ukrainën ashtu edhe Rusinë në mënyra të ndryshme, Türkiye, një nga vendet e pakta që mban lidhje me të dyja palët, është e gatshme t’i ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes në procesin që çon drejt paqes.

Lidhur me garancitë e sigurisë që do të ofrohen bazuar në një marrëveshje paqeje të rënë dakord nga palët pas përfundimit të luftës, Türkiye riafirmon gatishmërinë e saj në parim për të marrë përgjegjësi dhe për ta udhëhequr hapësirën detare me pjesëmarrjen edhe të partnerëve të tjerë në Detin e Zi.

Kontributi i Türkiyes në Mbrojtjen e Evropës

Sipas burimeve, me madhësinë dhe kapacitetin e saj Türkiye luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Evropës.

Vlen gjithashtu të përmendet se Türkiye, ushtria e dytë më e madhe e NATO-s dhe kontribuuesi i dytë më i madh në operacionet dhe misionet e NATO-s, eksporton produkte mbrojtëse me vlerë më shumë se 7 miliardë dollarë.

Në industrinë turke të mbrojtjes, e cila e bën të mundur këtë, janë punësuar 100 mijë njerëz.

Përjashtimi i një vendi në këtë pozicion nga iniciativat, nuk u shërben as edhe interesave të Bashkimit Evropian (BE), i cili po përpiqet ta krijojë strukturën e vet të mbrojtjes.

Zgjerimi i NATO-s

Türkiye përsërit se politika e zgjerimit të NATO-s bazohet në Nenin 10 të Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe rikujton se anëtarësimet e reja mund të jenë të mundshme në rast se mendohet se kontribuojnë në sigurinë e anëtarëve ekzistues.

Sipas kësaj, nëse anëtarët ekzistues e konsiderojnë të pamundur zgjerimin e mëtejshëm, kjo duhet të respektohet gjithashtu.

Që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Türkiye e ka vazhduar mbështetjen e saj për integritetin, unitetin dhe sovranitetin e Ukrainës.