Kinematë e Shqipërisë do të ringjallen me 1,4 milion euro investim

Ministria e Turizmit, e Kulturës dhe e Sporteve e Shqipërisë njoftoi se gjatë vitit 2026 do të investojë 1,4 milion euro për rijetësimin e rrjetit të kinemave në Shqipëri.

By
Kinematë e Shqipërisë do të ringjallen me 1,4 milion euro investim / ATA

Qendra Kombëtare e Kinematografisë e cilëson këtë nismë si një moment historik për kinemanë shqiptare, duke theksuar se ky projekt synon ta rikthejë magjinë e filmit te publiku në gjithë vendin.

Shtatë salla kinemaje do të përfitojnë nga modernizimi i teknologjisë dhe përmirësimi i ambientit, duke ofruar hapësira më komode dhe tërheqëse për adhuruesit e filmit. “Ky investim është dhurata më e bukur për publikun shqiptar nga MTKS dhe ministri Gonxhja në prag të festave,” deklaroi QKK-ja.

Përveç rifreskimit të infrastrukturës, projekti synon të mbështesë industrinë e filmit shqiptar, duke krijuar mundësi për artistët dhe profesionistët e fushës.

Kreu i QKK-së, Jonid Jorgji, gjatë prezantimit të programit të vitit 2026 para komisionit parlamentar, bëri të ditur se do të nënshkruhen marrëveshje me bashkitë për rikthimin e funksionalitetit të sallave të kinemave, shumë prej të cilave aktualisht janë të mbyllura. Projekti përfshin gjithashtu trajnimin e stafit dhe furnizimin e këtyre kinemave me filma shqiptarë.