| Albanian
BOTA
1 minuta leximi
Shembja e tunelit në Indi lë nëntë punëtorë të vdekur dhe disa të tjerë të bllokuar
Operacioni i shpëtimit vijon në shtetin Sikkim, ku tuneli në ndërtim e sipër u shemb.
Shembja e tunelit në Indi lë nëntë punëtorë të vdekur dhe disa të tjerë të bllokuar
Shembja e tunelit në Indi lë nëntë punëtorë të vdekur dhe disa të tjerë të bllokuar

Të paktën nëntë punëtorë humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të bllokuar pas shembjes së një tuneli në shtetin verilindor indian Sikkim, thanë zyrtarët.

Sipas një deklarate të qeverisë së Sikkimit, nëntë persona humbën jetën të hënën pasdite në tunelin në ndërtim të një projekti hidroenergjetik në distriktin Namchi.

“Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në vendngjarje për të lokalizuar dhe nxjerrë punëtorët e tjerë të bllokuar”, thuhet në deklaratën e publikuar të martën.

Një rrëshqitje dheu bllokoi gjithashtu hyrjen e tunelit dhe dyshohet se shkaktoi rrjedhje gazi, raportoi agjencia Press Trust of India.

Kryeministri indian Narendra Modi zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Sikkimit, Prem Singh Tamang, për t’u informuar mbi situatën dhe për të shqyrtuar ecurinë e operacioneve të shpëtimit, njoftoi qeveria e Sikkimit.

Modi e siguroi qeverinë e shtetit për “çdo ndihmë të mundshme nga qeveria e Indisë për të mbështetur përpjekjet e shpëtimit dhe për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur nga tragjedia”.

Sipas qeverisë, operacionet e shpëtimit po zhvillohen me angazhimin maksimal të disa agjencive.

“Ekipe të specializuara po ndihmojnë gjithashtu në operacion, duke punuar pa ndërprerje për nxjerrjen e trupave të punëtorëve të tjerë të bllokuar brenda tunelit”, thuhet në deklaratë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë