Sulmet izraelite në Liban që nga agimi i së mërkurës vrasin 34 persona, dhjetëra të plagosur
Sulmet ajrore kanë vrarë më shumë se 570 persona dhe kanë zhvendosur mijëra në gjithë Libanin që nga 2 marsi.
Të paktën 34 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore izraelite në mbarë Libanin që nga agimi i së mërkurës, ndërsa përshkallëzimi rajonal vazhdon të intensifikohet, raportojnë mediat libaneze.
Një avion luftarak izraelit goditi një ndërtesë në qytetin Tamnine el-Tahta në Baalbek, në lindje të Libanit, ku banonte një familje siriane, duke vrarë 10 persona dhe duke plagosur pesë të tjerë, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve NNA.
Një person u vra gjithashtu pasi një dron izraelit goditi rrugën Mahmoud Faqih në Nabatieh, në jug të Libanit.
Tre persona të tjerë u vranë nga një sulm me dron izraelit ndaj një makine në zonën Saf al-Hawa të Bint Jbeil, në rajonin e Nabatieh, sipas agjencisë.
NNA bëri të ditur se tre persona, përfshirë një paramedik, u vranë nga një sulm izraelit në qytetin Hanouiyeh në distriktin e Tirit në jug të Libanit.
Një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga një sulm në Zellaya në rajonin Uestern Bekaa në lindje të Libanit, ndërsa një tjetër u vra dhe tetë të tjerë u plagosën nga bombardimet izraelite në Al-Housh në distriktin e Tirit.
Në qytetin Kana në të njëjtin distrikt, sulme ajrore të njëpasnjëshme izraelite vranë pesë persona dhe plagosën pesë të tjerë, raportoi NNA.
Tre të rinj u vranë në Sharkiya kur një sulm goditi një shtëpi ku ata po qëndronin, ndërsa një tjetër paramedik vdiq në Kfartabnit pasi një sulm ajror goditi qytetin, tha agjencia.
Gjashtë persona u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën nga një sulm izraelit në Çehabiyeh në distriktin e Tirit, sipas televizionit Al-Manar, i lidhur me Hezbollahun.
Avionët izraelitë goditën gjithashtu një apartament banimi në zonën Aiça Bakkar të kryeqytetit Bejrut, megjithatë numri i viktimave nga ky sulm nuk ishte menjëherë i qartë, tha NNA.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi gjithashtu se katër persona u plagosën nga një sulm izraelit në qytetin Tebnine në jug të Libanit.
Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë më shumë se 570 persona dhe kanë zhvendosur mijëra në mbarë Libanin që nga 2 marsi, në mes të sulmeve ndërkufitare me Hezbollahun.
Përshkallëzimi u intensifikua pasi Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit, duke vrarë më shumë se 1.200 persona, përfshirë Udhëheqësin Suprem të atëhershëm, Ajatollah Ali Khamenei, dhe duke plagosur mbi 10.000 të tjerë.
Irani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që shënjestruan Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.