Kosova dhe Shqipëria drejt thellimit të bashkëpunimit në bujqësi
Gjatë takimit, palët theksuan nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit në disa fusha kyçe, duke vënë theks të veçantë në forcimin e sigurisë ushqimore dhe unifikimin e standardeve.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dheZhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja ka pritur në takim me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andin Salla, ku në qendër të diskutimeve ishte avancimi i bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë.
Gjatë takimit, palët theksuan nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit në disa fusha kyçe, duke vënë theks të veçantë në forcimin e sigurisë ushqimore dhe unifikimin e standardeve.
Në këtë drejtim, u diskutua për njohjen e ndërsjellë të certifikatave dhe procedurave, bashkëpunimin ndërmjet laboratorëve si dhe harmonizimin e metodave të akreditimit.
Po ashtu, rëndësi e veçantë iu kushtua fuqizimit të shërbimeve këshillimore për fermerët, përfshirë edhe rolin e Qendrave për Transfer të Teknologjisë Bujqësore (QTTB).
Të dyja palët u dakorduan që këto prioritete të konkretizohen përmes hapave të përbashkët në periudhën në vijim, me synim rritjen e cilësisë së prodhimit vendor, lehtësimin e qarkullimit të produkteve bujqësore dhe garantimin e standardeve më të larta për konsumatorët.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e bujqësisë.