Të paktën 1.574 persona janë vrarë dhe 6.939 të tjerë janë plagosur në Jemen që nga përshkallëzimi i fundit ushtarak, i cili nisi në gusht, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).
Në një raport të siguruar nga Anadolu, agjencia shëndetësore e OKB-së ka thënë se që nga fillimi i gushtit ka regjistruar gjithsej 8.513 të vdekur dhe të plagosur. Sipas OBSh-së, deri më 19 tetor janë regjistruar 1.574 të vrarë dhe 6.939 të plagosur, pa specifikuar nëse bëhet fjalë për civilë, pjesëtarë të forcave ushtarake apo të dyja palët.
Agjencia tha se gjatë periudhës së fundit tetëditore të raportimit janë vrarë 292 persona dhe janë plagosur 1.048 të tjerë. Të enjten e kaluar, OBSh-ja njoftoi se që nga fillimi i përshkallëzimit më 6 gusht 2026 kishte regjistruar 1.282 të vrarë dhe 5.891 të plagosur, përpara se shifrat të rriteshin në nivelet e fundit.
Jemeni është përfshirë nga konflikti që nga viti 2014, kur grupi Huthi mori kontrollin e kryeqytetit Sana dhe të disa provincave të tjera, duke nxitur ndërhyrjen e një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite në mars të vitit 2015, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.
Huthit kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit verior dhe perëndimor ndërsa forcat qeveritare dhe aleatët e tyre kontrollojnë Adenin dhe pjesë të mëdha të provincave jugore dhe lindore të vendit.


























