Ministri në largim i Mbrojtjes së Bullgarisë, Mill Eftimov, deklaroi se dronët që dje e goditën anijen e kontejnerëve pranë vendit të tij, në Detin e Zi, erdhën nga lindja.
Eftimov në një intervistë për transmetuesin bTV tha se megjithatë të dhënat në dispozicion duhet të analizohen. Agjencia bullgare e lajmeve BTA citoi Eftimovin, duke theksuar se forcat ajrore ishin në gatishmëri kur dronët hynë në territorin e vendit.
Ai shtoi se dronët bullgarë u dislokuan për t’iu kundërvënë kërcënimit, por kushtet e vështira atmosferike ua kufizuan operacionet. “Ne nuk jemi në luftë. Dronët nuk hynë në ujërat territoriale, prandaj nuk ndërmorëm asnjë veprim”, tha ai.
Eftimov tha se Bullgaria mban komunikim të vazhdueshëm me komandën e NATO-s. Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi një tjetër anije kontejnerësh u godit nga tre dronë detarë, rreth 21 milje detare në juglindje të qytetit bullgar Shabla.
Bullgaria i ka cilësuar sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi si shkelje të së drejtës ndërkombëtare detare.
Autoritetet bullgare kanë bërë thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar për t’iu përgjigjur sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi.





















