Rusia njoftoi se 175 punonjës të tjerë që u evakuuan nga një central bërthamor iranian, janë nisur për në Moskë.
Ambasada ruse në Erevan tha se stafi kaloi në Armeni nga centrali bërthamor i Bushehrit nëpërmjet pikës kufitare Nurduz-Agarak dhe u nis me një fluturim të posaçëm të hënën.
“Një total prej 509 qytetarësh rusë janë kthyer nëpërmjet Armenisë që nga fillimi i luftës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit”, saktësoi Ambasada.
Moska shprehu “mirënjohje të thellë” ndaj Armenisë për evakuimin e sigurt të punonjësve të Korporatës Shtetërore të Energjisë Atomike (Rosatom), shtoi deklarata.
Të dielën, kreu i Rosatom-it, Alexey Likhachev, tha se shumica e rusëve që punonin në Bushehr, ishin evakuuar me sukses dhe se një valë tjetër evakuimi është planifikuar për javën e ardhshme.
Muajin e kaluar, Rusia filloi evakuimin e personelit të saj nga ky central bërthamor për shkak të përshkallëzimit të tensioneve rajonale që filluan pasi ShBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, e cila ka vrarë më shumë se 1.400 njerëz, përfshirë udhëheqësin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.
Teherani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane. Irani gjithashtu ka kufizuar lëvizjen e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.















