Zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani, duke iu referuar vlerësimeve paraprake, bëri me dije se dëmet nga sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër vendit të saj vlerësohen në rreth 270 miliardë dollarë.
“Një nga çështjet që ekipi ynë negociues po ndjek dhe që u trajtua gjithashtu në bisedimet në Islamabad, është çështja e reparacioneve të luftës”, tha Mohajerani për agjencinë ruse të lajmeve “RIA Novosti”, cituar nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane “Tasnim”.
“Shifra prej 270 miliardë dollarësh nuk është përfundimtare. Dëmet zakonisht duhet të shqyrtohen në disa nivele”, theksoi ajo.
Përshkallëzimi rajonal i armiqësive erdhi pasi ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë dhe plagosur mijëra persona.
Teherani nisi sulme hakmarrëse ndaj Izraelit, Irakut, Jordanisë dhe vendeve të Gjirit që strehojnë mjete ushtarake amerikane, përpara se javën e kaluar të shpallej një armëpushim dyjavor.
Delegacionet iraniane dhe amerikane përfunduan 21 orë bisedime në kryeqytetin Islamabad të Pakistanit, herët të dielën, pa arritur ndonjë marrëveshje.













