Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka qëndruar për vizitë zyrtare gjatë këtyre ditëve në Luginën e Preshevës në jug të Serbisë.
Presidenti shqiptar Begaj zhvilloi takime të veçanta me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, me të cilët bisedoi për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë.
Begaj i inkurajoi liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kudo ku ata jetojnë duhen të respektohen, shqiptarët duhet të jetojnë këtu, të mos diskriminohen, gjuha shqipe të përdoret pa drojë e frikë, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat të mbrohen dhe promovohen”, theksoi Begaj gjatë një fjalimi të mbajtur para qytetarëve në Preshevë me rastin e çeljes së Panairit të Librit Shqip 2026.
Presidenti Begaj rikonfirmoi se shqiptarët janë faktor paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor dhe se mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Preshevë është pjesë e standardeve evropiane për të drejtat dhe diversitetin kulturor.
“Identiteti shqiptar është ndërtuar mbi vlera evropiane, mbi respektin për lirinë, dinjitetin njerëzor, bashkëjetesën, shtetin e së drejtës dhe kulturën e dialogut. Prandaj, mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Luginën e Preshevës nuk është çështje nostalgjie, nuk është vetëm çështje kombëtare, është pjesë e vetë sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave, është pjesë e vizionit tonë si komb për të ardhmen”, tha Begaj.
Begaj iu drejtua edhe të rinjve të Preshevës, duke i ftuar që shqipen ta bëjnë gjuhë të dijes, profesionit dhe suksesit, jo vetëm gjuhë familjare, ndërsa u zotua se do të vazhdojë të jetë avokat i të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.























