Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve e Türkiyes do të restaurojë dy xhami në Maqedoninë e Veriut

Në kuadër të protokollit do të restaurohet Xhamia Haxhi Balaban në Shkup dhe Xhamia e Larme në Tetovë.

By
Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve e Türkiyes do të restaurojë dy xhami në Maqedoninë e Veriut / AA

Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve pranë Ministrisë së Kulturës dhe të Turizmit të Türkiyes, do ta realizojë restaurimin e Xhamisë Haxhi Balaban në Shkup dhe Xhamisë së Larme në Tetovë, në kuadër të protokollit të bashkëpunimit të nënshkruar me Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI).

Drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Türkiyes, Sinan Aksu, pas nënshkrimit të protokollit, theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe restaurimit të veprave të trashëgimisë osmane jo vetëm në Türkiye, por edhe në vendet ku gjenden veprat e kësaj periudhe.

"Nën drejtimin që ka treguar presidenti ynë Recep Tayyip Erdogan dhe me mbështetjen e pakufishme të ministrit tonë, Mehmet Nuri Ersoy, përveç tri veprave që kemi përfunduar në Maqedoninë e Veriut në vitet e kaluara, sot nënshkruam protokollin për të restauruar edhe dy vepra vakëfe. Dëshiroj që ky projekt të ketë rezultat të bekuar dhe të suksesshëm", tha Aksu.

Kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu, shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me Turqinë dhe falënderoi për përkushtimin ndaj restaurimit të trashëgimisë osmane.

Ai shprehu shpresën se projekti i nënshkruar të sjellë begati dhe të jetë i dobishëm.

Në ceremoninë e nënshkrimit të protokollit morën pjesë zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë dhe të BFI-së.