Kurti shpall “fitore historike” në zgjedhjet e parakohshme parlamentare

"Më 9 shkurt fitoi Lëvizja Vetëvendosje, më 28 dhjetor fitoi populli dhe Republika e Kosovës. Urime fitorja më e madhe në histori të vendit”, tha ai

By
Kurti shpall “fitore historike” në zgjedhjet e parakohshme parlamentare / Reuters

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) edhe për një mandat në këtë pozitë, Albin Kurti, në adresimin e tij të parë pas mbylljes së votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ka shpallur "fitore historike" në garën e sotme zgjedhore.

"Urime të gjithë qytetarëve, mërgatës dhe secilit, pa dallim, fitoren historike që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin e vitit 2021", tha Kurti në një konferencë për media pas publikimit të mbi 90 për qind të rezultateve preliminare nga numërimi i votave në Kosovë.

Kurti tha se pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duhet të formohet Kuvendi i Kosovës e më pas të formohet sa më parë edhe qeveria e re.

“Më 9 shkurt fitoi Lëvizja Vetëvendosje, më 28 dhjetor fitoi populli dhe Republika e Kosovës. Urime fitorja më e madhe në histori të vendit”, tha ai.

Kandidati i LVV-ës për kryeministër nga selia e partisë tha se është i gatshëm të bashkëpunojë menjëherë me opozitën për tre marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kanë ngelur pa u miratuar, të cilat, siç tha ai, janë mbi 1 miliardë euro në të mirë të vendit.

Kurti gjithashtu tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën edhe për votimin e presidentit të Kosovës, kur në muajin prill përfundon mandati i presidentes aktuale Vjosa Osmani, por paraprakisht tha se për këtë do të bisedojë me presidenten Osmani.

KQZ-ja deri më tani ka numëruar rreth 97 për qind të kutive të votimit dhe sipas numërimit të rezultateve preliminare, LVV-ja ka marrë 49,72 për qind apo 427.631 vota, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,19 për qind apo 182.219 vota.

Pastaj vijon Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13,74 për qind apo 118,128 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5,74 për qind apo 49.369 vota.

Partitë e tjera, të cilat deri në fund të numërimit zyrtar të votave nuk arrijnë 5 për qind të votave, nuk do të mund ta kalojnë pragun për t'u përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.

Nëse LVV-ja arrin 50 për qind apo më shumë të votave deri në certifikimin e rezultateve, ajo mund ta bëjë qeverinë e vetme, pa pasur nevojë për një koalicion pas-zgjedhor me ndonjë parti tjetër parlamentare.

Kosova sot mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas krizës disamujore politike për të formuar një qeveri të re, ku në garë morën pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë për deputetë.

Të drejtë vote kishin 2.076.290 prej të cilëve 1.999.204 votuan sot brenda vendit dhe 77.086 patën mundësi ta ushtrojnë të drejtën e votës në periudhën 12-27 dhjetor.