Tifozët kosovarë në Slloveni raportojnë vjedhjen e targave të automjeteve

Ambasada e Kosovës në Slloveni ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me disa prej shtetasve të prekur dhe u ka rekomanduar atyre që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar.

By
Tifozët kosovarë në Slloveni raportojnë vjedhjen e targave të automjeteve / Reuters

Tifozë nga Kosova të cilët mbrëmjen e së shtunës udhëtuan për në Slloveni kanë raportuar vjedhjen e targave të automjeteve të tyre pas ndeshjes Slloveni-Kosovë në kuadër të kualifikimeve të Botërorit 2026.

Lidhur me këtë ka reaguar Ambasada e Kosovës në Slloveni, e cila njoftoi se ka pranuar disa thirrje telefonike nga shtetas të Kosovës të cilët kanë raportuar mungesën e targave të veturave të tyre menjëherë pas ndeshjes.

“Bazuar në raportimet e deritanishme, dyshohet se disa veturave u janë hequr targat. Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me disa prej shtetasve të prekur dhe u ka rekomanduar atyre që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ambasada kosovare tha se po merret me rastin dhe po bashkërendon veprimet me autoritetet përkatëse.

“Ne mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri”, ka theksuar ambasada.

Të shtunën, Kosova në Ljublanë siguroi fazën “play-off”për kualifikimet në Botërorin e vitit 2026 pasi mposhti Slloveninë me rezultat 2 me 0.