| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Rinisin fluturimet në ShBA pas pezullimit disa orësh, vijojnë vonesat në aeroporte
Administrata Federale e Aviacionit e ShBA-së pezulloi nisjet e fluturimeve në mbarë vendin si rrjedhojë e një problemi në komunikim.
Rinisin fluturimet në ShBA pas pezullimit disa orësh, vijojnë vonesat në aeroporte
Rinisin fluturimet në ShBA pas pezullimit disa orësh, vijojnë vonesat në aeroporte / َAA

Administrata Federale e Aviacionit e ShBA-së (FAA) hoqi pezullimin pas më shumë se katër orësh ndërprerje të fluturimeve në të gjitha aeroportet e ShBA-së, si rrjedhojë e një “problemi në komunikim”, sipas sekretarit amerikan i Transportit, Sean Duffy.

Duffy tha se problemi preku të gjitha qendrat rajonale të kontrollit të trafikut ajror në vend.

“Teknikët e FAA-së po hetojnë problemin”, tha ai, duke shtuar se agjencia do të japë informacione të reja sapo të ketë më shumë të dhëna.

Më vonë, FAA-ja tha se një ndërprerje e përkohshme e telekomunikacionit e kishte shtyrë të pezullonte fluturimet në mbarë ShBA-në si masë paraprake.

“Deri tani nuk ka shenja se bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm”

“Ka pasur një ndërprerje të përkohshme të telekomunikacionit. Si masë paraprake, të gjitha fluturimet janë pezulluar. Kemi informacion për çdo fluturim dhe fluturimet ndërkombëtare do të trajtohen rast pas rasti”, tha agjencia.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Sigurisë së Brendshme, Markwayne Mullin, u tha gazetarëve se “deri tani nuk ka shenja se bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm”.

“Deri tani nuk ka shenja se bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm. Për momentin, bëhet fjalë për një ndërprerje të telekomunikacionit. Të gjithë janë të sigurt. Nuk ka arsye të shqetësoheni për të afërmit tuaj nëse janë duke fluturuar”, tha Mullin.

Mullin shtoi se publiku “nuk ka arsye” të frikësohet.

“Nuk po përjashtojmë asgjë”, tha Mullin kur u pyet nëse mund ta përjashtonte “përfundimisht” mundësinë e një sulmi kibernetik.

“Teksa hetojmë shkakun, duhet ta marrim gjithmonë parasysh këtë mundësi, duke pasur parasysh sa shpesh ndodhin sulme kibernetike. Për momentin, ende nuk e dimë”, tha ai.

CNN raportoi se ndërprerjet prekën edhe radarët e kontrollit të trafikut ajror dhe frekuencat e komunikimit me radio.

Duke cituar një burim nga sektori i aviacionit me dijeni për problemin, CNN tha se kontrollorët e trafikut ajror ende nuk e kanë të qartë shkakun apo se çfarë po ndodh saktësisht.

Pezullimi i nisjeve të fluturimeve në mbarë ShBA-në hyri në fuqi të premten rreth orës 21:00 GMT dhe zgjati afro katër orë. Ishte pezullimi më i gjatë i këtij lloji në 25 vjet, që nga ai i vendosur pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë