Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të ndërtojnë bashkë një tunel hekurudhor ndërkufitar
Tuneli 2,4 kilometra i gjatë do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe do të forcojë integrimin me rrjetet e transportit të BE-së dhe NATO-s, tha zëvendëskryeministri dhe ministri bullgar i Transportit dhe Komunikimeve.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan të enjten një marrëveshje për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e përbashkët të një tuneli hekurudhor ndërkufitar, që synon të forcojë lidhjet e transportit mes dy vendeve fqinje.
Marrëveshja u firmos nga zëvendëskryeministri dhe ministri bullgar i Transportit dhe Komunikimeve, Grozdan Karadzhov, dhe homologu i tij maqedonas, Aleksandar Nikolovski, gjatë një ceremonie në stacionin hekurudhor Gyueshevo në jugperëndim të Bullgarisë, sipas mediave lokale.
Karadzhov e përshkroi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe, duke theksuar se tuneli do të plotësojë lidhjen hekurudhore që mungon mes dy vendeve dhe do të përmirësojë transportin mes Detit të Zi dhe Detit Adriatik.
Ai tha se tuneli prej 2,4 kilometrash (1,5 milje) do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe do të forcojë integrimin me rrjetet e transportit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Nga ana tjetër, Nikolovski theksoi rëndësinë strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të tunelit si për Ballkanin, ashtu edhe për Evropën. Ai shtoi se projekti merr rëndësi të veçantë në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi korridori hekurudhor do të mbështesë operacionet e NATO-s dhe do të ndihmojë Ukrainën në mbrojtjen e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit të saj territorial.