Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka deklaruar se Shqipëria mbetet e angazhuar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) deri në vitin 2030.
Kryeparlamentari Peleshi ka pritur në një takim sot në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë një delegacion nga Komisioni për Politikën e Jashtme të Parlamentit suedez.
Në një reagim në rrjetet sociale, Peleshi ka theksuar se marrëdhëniet "shumë të mira mes Shqipërisë dhe Suedisë, si edhe mbështetja e fuqishme suedeze për rrugën evropiane të vendit tonë", është vlerësim për progresin e Shqipërisë si edhe një inkurajim, sipas tij, për të vijuar me vendosmëri reformat transformuese.
"Shqipëria mbetet e angazhuar për avancimin e negociatave dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ndërveprimi intensiv mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Riksdagut suedez nxit marrëdhëniet dypalëshe dhe kontribuon në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes evropiane", ka theksuar Peleshi.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërkohë synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.























