Të paktën 50 balena kanë ngecur përgjatë bregdetit të Zelandës së Re ndërsa shpëtimtarët dhe banorët vendas punuan sot për t'i rikthyer në ujë ato që janë ende gjallë, raportuan mediat lokale.
Balenat u gjetën të bllokuara mes shkëmbinjve përgjatë vijës bregdetare Ngawi në Wairarapa, në cepin juglindor të Ishullit Verior të vendit, njoftoi Radio Zelanda e Re, duke cituar grupin për mbrojtjen e balenave "Project Jonah".
Dy nga balenat e ngecura u rikthyen me sukses në ujë ndërsa disa të tjera kishin ngordhur, sipas raportit. "Project Jonah" bëri të ditur se ekipi i tij po kryen vlerësime të gjendjes shëndetësore të balenave të ngecura.
Në një deklaratë në Facebook, grupi njoftoi se ekspertë për gjitarët detarë janë mobilizuar në bashkëpunim me stafin e Departamentit të Ruajtjes së Natyrës të Zelandës së Re dhe banorët vendas.
Rob Bargh, një banor i Ngawi-t, e përshkroi situatën si tragjike. "Është e tmerrshme. Ato që janë gjallë po japin frymën e fundit", tha ai.
Peshkatari Andrew Sim u shpreh se shpëtimtarët po përpiqen t'i mbajnë të lagura dhe të freskëta disa nga balenat e mbijetuara, por beson se "pjesa më e madhe e tufës ka ngordhur si pasojë e plagëve".
Radio Zelanda e Re raportoi se stafi i Departamentit të Ruajtjes së Natyrës dhe komuniteti vendas do t'u vënë emra balenave dhe do të kryejnë "karakia", një lutje tradicionale Maori.






















