Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr. ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të shkatërrimeve të shkaktuara nga tajfuni "Kalmaegi", ku si pasojë humbën jetën 114 persona ndërsa 127 të tjerë llogariten të zhdukur.
Zyra presidenciale njoftoi se vendimi u mor gjatë një informimi në Këshillin Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë. Marcos tha se deklarata do të përshpejtojë përpjekjet e shpëtimit, ndihmës dhe rehabilitimit, duke lejuar qasje më të shpejtë në fondet e emergjencës dhe proceset e thjeshtuara të prokurimit.
"Për shkak të fushëveprimit, le të themi, të zonave problematike që janë goditur nga tajfuni 'Tino' dhe do të goditen nga tajfuni 'Uwan', pati një propozim (nga këshilli) të cilin e miratova, që ne të shpallim fatkeqësi kombëtare", tha Marcos.
Ai shtoi se 10 deri në 12 rajone pritet të preken nga tajfunët binjakë, teksa vendi po ashtu përgatitet për tajfunin "Uwan".
Përmbytje, rrëshqitje toke dhe ndërprerje të energjisë elektrike
Siç raporton "Inquirer", zv/zëdhënësi i Zyrës së Mbrojtjes Civile, Diego Mariano tha se 82 persona u plagosën në Visayasin Qendror, i cili është rajoni më i goditur. Tajfuni i fuqishëm, i njohur në vend si tajfuni "Tino", shkatërroi çati dhe rrëzoi pemë e shtylla të shërbimeve si dhe shkaktoi përmbytje masive.
Tajfuni "Kalmaegi" u largua nga vendi mëngjesin e sotëm, por siç tha agjencia meteorologjike e vendit, vazhdon të sjellë shi në pjesë të Luzonit dhe rajonit Mindanao. Të paktën 500 mijë njerëz janë zhvendosur, me mbi 1,4 milion të prekur në rajonin e Visayasit Qendror, përfshirë pjesë të provincës Cebu.
Autoritetet thanë se përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e tokës kanë bllokuar rrugët në zona të largëta ndërsa disa komuna përjetuan ndërprerje të energjisë elektrike. Shkatërrimi vjen pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 6,9 ballë që goditi provincën Cebu më 30 shtator, ku humbën jetën shumë njerëz dhe mijëra të tjerë u zhvendosën.
Autoritetet thanë se përpjekjet e ndihmës janë duke vazhduar ndërsa ekipet e shpëtimit punojnë për të arritur në zonat e largëta të izoluara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.
Tajfuni "Kalmaegi" goditi dy herë rajonin Visayas herët të martën, i pari në Leyten Jugore dhe më pas në Cebu.
Tajfuni pritet të godasë në Detin e Kinës Jugore përpara se të drejtohet drejt Vietnamit, ku autoritetet po përgatiten për mbërritjen e tij të premten.























