| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosova me 41 milionë euro kredi për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë
“Investimi do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do ta përmirësojë infrastrukturën përcjellëse në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, si dhe në spitalet e Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Mitrovicës, Gjilanit dhe Ferizajt”, theksoi Murati.
Kosova me 41 milionë euro kredi për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë
Kosova me 41 milionë euro kredi për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë./ AA

Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje kredie me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës për një projekt që e synon pajisjen me aparatura mjekësore dhe përmirësimin e infrastrukturës së sektorit shëndetësor në Kosovë.

Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, tha se kostoja e këtij projekti është 41 milionë euro, të cilat bashkëfinancohen në pjesë të barabarta nga të dyja bankat.

“Investimi do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do ta përmirësojë infrastrukturën përcjellëse në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Mitrovicës, Gjilanit dhe Ferizajt”, theksoi Murati.

Ai tha se ky projekt përfaqëson një investim në shëndetin e qytetarëve.

Nënkryetari i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, tha se investimi do t’u mundësojë profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve në Kosovë të kenë qasje në pajisje dhe infrastrukturë moderne, duke kontribuar në përmirësimin e diagnostikimit dhe trajtimit.

“​​Kujdesi shëndetësor është një nga mënyrat më të dukshme përmes të cilave investimet publike ofrojnë shërbime për njerëzit. Çdo ditë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, qytetarët duhet të jenë në gjendje të mbështeten te kujdesi thelbësor mjekësor për veten dhe familjet e tyre. Dhe duke nënshkruar këtë operacion sot, ne po ndihmojmë për të siguruar që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në mbarë Kosovën të kenë qasje në pajisje dhe lehtësira moderne”, theksoi ai.

Sipas de Groot, ky investim do të sjellë pajisje mjekësore të avancuara dhe përmirësim të infrastrukturës mbështetëse në sektorin shëndetësor të Kosovës, duke mundësuar diagnostikim më të mirë, trajtim më efektiv dhe kujdes më cilësor për pacientët.