Raportuesja e Posaçme e OKB-së për Palestinën, Francesca Albanese, tha të premten se shpreson që italianët ta kundërshtojnë një projektligj të ri dhe shumë të debatueshëm për antisemitizmin në Itali.
“Përse vallë duhet të mësohet kultura izraelite në Itali?”, shkroi Albanese në platformën X, duke iu referuar projektligjit për antisemitizmin që po shqyrtohet në parlament.
Ajo tha se kjo është “pjesë e izraelizimit të shoqërisë, të cilin e mbështet elita në qeveri dhe një pjesë e opozitës”.
“Shpresoj që populli italian ta kundërshtojë këtë turp të paralajmëruar. Historia jemi ne”, shtoi Albanese.
Projektligji, i njohur si DDL 1004, u paraqit nga partia e djathtë e skajshme Liga, partnerja më e vogël në qeverinë e koalicionit të djathtë të kryeministres Giorgia Meloni.
Ai do të përdorte kriteret e miratuara nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) për përkufizimin e antisemitizmit. Pasi u miratua nga Senati në mars, projektligji ndodhet tashmë në Dhomën e Deputetëve për miratimin përfundimtar.
Qindra persona protestuan të enjten në Milano kundër projektligjit, duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Jo projektligjit për antisemitizmin”, “Të kritikosh Izraelin nuk është antisemitizëm” dhe “Protesta është e drejtë”, ndërsa brohoritën “Palestinë e lirë”.



















