| Albanian
KLIMA
2 minuta leximi
Stuhia vdekjeprurëse godet Kaliforninë e Jugut, një i vdekur dhe mbi 22 milionë të prekur
Autoritetet paralajmërojnë për rrezik të vazhdueshëm nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet e menjëhershme, veçanërisht në zonat e prekura më parë nga zjarret.
Stuhia vdekjeprurëse godet Kaliforninë e Jugut, një i vdekur dhe mbi 22 milionë të prekur
Stuhia vdekjeprurëse godet Kaliforninë e Jugut, një i vdekur dhe mbi 22 milionë të prekur / AP
16 Nëntor 2025

Një stuhi e fuqishme nga Paqësori goditi Kaliforninë e Jugut gjatë fundjavës, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe përmbytje të shumta nga Santa Barbara deri në Los Anxhelos, raportoi ABC News të dielën.

Sipas autoriteteve, urdhrat e evakuimit në qarkun e Los Anxhelosit u hoqën të shtunën mbrëma, megjithëse kushtet e rrezikshme vijojnë.

“Edhe pse reshjet vazhdojnë, pjesa më e keqe e stuhisë ka kaluar”, deklaroi kreui i Departamentit të Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit, Brian Kight.

Sistemi stuhishor, që preku rreth 22 milionë banorë, solli dy valë të dendura reshjesh: të parën herët të shtunën në mëngjes dhe të dytën mes orës 11:00 dhe 16:00 me kohën lokale.

Në Sutter County, një burrë 71-vjeçar humbi jetën të premten kur automjeti i tij u mor nga uji që kishte përmbytur urën Pleasant Grove Creek Bridge, njoftoi Policia Rrugore e Kalifornisë.

Meteorologët paralajmërojnë se zonat e djegura nga zjarret janë veçanërisht të rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut, përmbytjet e befasishme dhe rrjedhjet e mbeturinave, ndërsa tokat e ngopura me ujë në qarqet Santa Barbara, Ventura dhe Los Anxhelos pritet të marrin 10–15 cm shi, shumë mbi mesataren mujore të nëntorit për Los Anxhelosin (rreth 2 cm).

Edhe pse reshjet më të dendura u zbutën të shtunën në mbrëmje, parashikuesit thanë se modelet e paqëndrueshme të motit do të vazhdojnë në fillim të javës, duke mbajtur të lartë rrezikun nga përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe shembjet e terrenit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë