Një marrëveshje për t’i dhënë fund përgjithmonë luftës ShBA-Izrael kundër Iranit mund të nënshkruhet që këtë fundjavë, tha të enjten presidenti Donald Trump, në një ditë të mbushur me zhvillime të shpejta, transmeton Anadolu.
“Sapo bëmë një zgjidhje të shkëlqyer për përfundimin e luftës me Iranin dhe, në varësi të finalizimit të dokumenteve, që duhet të përfundojë gjatë ditëve të ardhshme, me gjasë do të kemi një ceremoni nënshkrimi, ndoshta në Evropë”, u tha Trumpi gazetarëve në Zyrën Ovale.
Trumpi tha se ceremonia e nënshkrimit “mund të ndodhë së shpejti, shumë shpejt, ndoshta gjatë fundjavës”, duke shtuar se ShBA-në do ta përfaqësojnë zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari special Steve Witkoff dhe këshilltari Jared Kushner.
Ai tha se nuk mund të marrë pjesë në ceremoninë e mundshme këtë fundjavë, me gjasë për shkak të një sërë aktivitetesh të planifikuara në Uashington për të shënuar 250-vjetorin e ShBA-së.
I pyetur nëse Udhëheqësi Suprem iranian Mojtaba Khamenei e ka miratuar marrëveshjen për përfundimin e luftës, Trumpi tha: “Unë kuptoj se përgjigjja është po”.
Trump tha se ka biseduar me disa partnerë rajonalë që ndihmuan në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe se do të flasë edhe me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, për të cilin tha se ishte “i shkëlqyer” në ndihmën për përfundimin e luftës.
Forcat amerikane kryen për të dytën ditë sulme ndaj disa objektivave në Iran të enjten, pas rrëzimit të një helikopteri Apache mbi Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se 18 objektiva të mëdha ushtarake amerikane ishin goditur në bazat ajrore Ali Al Salem dhe Ahmad Al Jaber në Kuvajt, në bazën Sheikh Isa në Bahrein dhe në një bazë që strehon avionë luftarakë amerikanë në Jordani.
Vetëm disa orë para se të njoftonte përparimin në negociata, Trumpi kishte kërcënuar se do të vazhdonte të godiste Iranin “shumë fort” dhe kishte paralajmëruar se mund të merrte nën kontroll Ishullin Kharg të Iranit, i cili shërben si një terminal jetik energjetik për Teheranin.
I pyetur nëse ky kërcënim mbetet ende në tavolinë, Trumpi u përgjigj para gazetarëve: “Nëse e nënshkruajmë këtë marrëveshje, atëherë jo”.





















