Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se për caktimin e datës së zgjedhjeve, presidenti Begaj thirri në konsultë gjithë faktorin politik që përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve si përfaqësues i organit përgjegjës për zgjedhjet në Shqipëri.
"Thirrjes në konsultë iu përgjigj Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Subjektet e tjera preferuan t'i qëndrojnë larg konsultës, sikurse nuk bënë publik asnjë parapëlqim partiak lidhur me datën e zgjedhjeve. Subjektet e përfshira në konsultë u treguan të hapur për secilën zgjidhje. Komisioneri sugjeroi datën 9 maj 2027, ditën e fundit të kalendarit, me arsyetimin se kjo datë jep më shumë kohë për masat zbatuese", thuhet në njoftim.
Gjithashtu, theksohet se Begaj i fton subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë, sipas tij, në lartësinë e këtij procesi themelor demokratik.
Kujtojmë se zgjedhjet e ardhshme vendore do të zhvillohen sipas reformës së re administrativo-territoriale, që uli numri e bashkive nga 61 në 46.
Zgjedhjet e fundit të plota vendore në Shqipëri u mbajtën më 14 maj 2023.





















