Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka diskutuar të martën me zyrtarë amerikanë formimin e një celule trepalëshe ShBA–Liban–Iran për konsolidimin e armëpushimit në Liban dhe monitorimin e zbatimit të masave përkatëse.
Bisedimet janë zhvilluar gjatë një telefonate që Aoun ka pasur me nënpresidentin amerikan JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, njoftoi presidenca libaneze në një deklaratë.
Zyrtarët kanë konfirmuar gjatë telefonatës se “rregullimet lidhur me strukturën dhe formimin e kësaj celule janë aktualisht në shqyrtim”, duke shtuar se gjithashtu kanë diskutuar zhvillimet e fundit në Liban dhe periudhën pas bisedimeve në Zvicër mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Vance dhe Rubio kanë shprehur mbështetjen e ShBA-së për qeverinë libaneze “në qasjen e saj për ta shtrirë autoritetin e shtetit dhe për të forcuar sovranitetin kombëtar mbi gjithë territorin e saj vetëm përmes ushtrisë dhe forcave të sigurisë”, thuhet në deklaratë.
Nga ana e tij, Aoun i ka falënderuar zyrtarët amerikanë për interesimin e Uashingtonit ndaj Libanit “me qëllim për t’i dhënë fund luftës atje dhe për të forcuar autoritetin e shtetit libanez”.
Telefonata vjen pasi një memorandum mirëkuptimi ShBA–Iran hyri në fuqi më 18 qershor, pas nënshkrimit elektronik nga presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian. Marrëveshja përfshin një dispozitë që i angazhon palët të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Libanit.
Sulmet izraelite në Liban kanë vrarë më shumë se 4.100 persona dhe kanë plagosur mbi 12.000 të tjerë që nga 2 marsi, sipas të dhënave zyrtare libaneze.






















