Kryeministri Rama: Nuk do ta zgjasim ndalimin e platformës TikTok
Më 6 mars 2025, Qeveria e Shqipërisë miratoi vendimin për mbylljen e qasjes në TikTok për 12 muaj, pas vrasjes së një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe onlajn.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria nuk do ta zgjasë ndalimin njëvjeçar të platformës TikTok.
Në një intervistë për “Politico”, Rama ka theksuar se pas "takimeve konstruktive" me platformën e mediave sociale, janë të kënaqur me rezultatin.
“Ne kemi krijuar partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt e ardhshëm do të njoftojmë popullin shqiptar rreth planit, siç e premtuam”, është shprehur Rama.
Raportohet se Rama ka deklaruar se ishte “shumë i befasuar” nga reagimi i TikTok-ut, pas vendimit fillestar të Qeverisë së Shqipërisë për ta ndaluar platformën.
Gjithashtu, thuhet se TikTok nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së “Politico” për koment.
Vendimi për mbylljen e platformës TikTok
Më 6 mars 2025, Qeveria e Shqipërisë miratoi vendimin për mbylljen e qasjes në TikTok për 12 muaj.
Vendimi është marrë pas vrasjes së një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij në nëntor të vitit 2024 dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.
Qeveria shqiptare vendosi ndërprerjen e qasjes në TikTok në territorin e Shqipërisë, sipas autoriteteve, deri në momentin që kjo platformë t’i zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.
Mbyllja e qasjes në platformën TikTok shkaktoi reagime në Shqipëri.