Ministri i Transportit: Një tanker nafte i operuar nga Türkiye u sulmua pranë Stambollit
Një tanker nafte me flamur të huaj, i operuar nga Türkiye, u sulmua të enjten pranë brigjeve të Stambollit, në Detin e Zi, tha ministri turk i Transportit, duke shtuar se nuk raportohet asnjë viktimë midis ekuipazhit.
“Tankeri me emrin «Altura», i cili transportonte rreth 140.000 tonë naftë të papërpunuar, u godit, ndërsa dhoma e motorit duket të ketë qenë objektivi i sulmit”, bëri me dije ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Türkiyes, Abdulkadir Uraloğlu, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në “24TV”.
“U raportua një shpërthim në dhomën e motorit të një anijeje me flamur të huaj, e operuar nga Türkiye, e cila kishte lënë së fundmi Rusinë. Dyshojmë se shpërthimi është shkaktuar nga një mjet nënujor pa pilot”, deklaroi Uraloğlu.
Ministri shtoi se në bord ndodheshin 27 anëtarë turq të ekuipazhit në momentin e incidentit, të gjithë të raportuar të sigurt.
Ai gjithashtu theksoi se ekipi teknik është dërguar në vendngjarje dhe situata po monitorohet me vëmendje.
Ky është një zhvillim në vazhdim dhe informacioni do të përditësohet…