Raport: Franca pritet ta refuzojë ftesën e ShBA-së për t’iu bashkuar Bordit të Paqes për Gazën

Parisi “nuk ka ndërmend, në këtë fazë, të japë një përgjigje pozitive”, thotë një burim pranë presidentit Emmanuel Macron.

By
Raport: Franca pritet ta refuzojë ftesën e ShBA-së për t’iu bashkuar Bordit të Paqes për Gazën / AA

Franca nuk ka ndërmend ta pranojë ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për t’iu bashkuar një Bordi ndërkombëtar të Paqes, që synon zgjidhjen e konfliktit në Gaza, thanë të hënën për BFM TV burime të afërta me presidentin Emmanuel Macron.

Franca “nuk ka ndërmend, në këtë fazë, të japë një përgjigje pozitive” ndaj ftesës së ShBA-së, tha një burim.

“Statuti shkon përtej kornizës së Gazës. Ai ngre çështje madhore, veçanërisht në lidhje me respektimin e parimeve dhe strukturës së Kombeve të Bashkuara, të cilat në asnjë rast nuk duhet të vihen në pikëpyetje”, shtoi burimi.

Edhe Ministria e Jashtme franceze, në një deklaratë të parë nga BFM-ja, tha se po i shqyrton dispozitat e tekstit të propozuar dhe ritheksoi lidhjen e saj me Kartën e OKB-së: “Ajo mbetet gurthemeli i multilateralizmit efektiv, ku e drejta ndërkombëtare, barazia sovrane e shteteve dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve kanë përparësi ndaj arbitraritetit, politikës së forcës dhe luftës”.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten formimin e Bordit të Paqes, duke thënë se ai synon të “luajë një rol thelbësor në zbatimin” e 20 pikave të planit të Trumpit për t’i dhënë fund përgjithmonë luftës së Izraelit në Gaza dhe për rindërtimin e enklavës, si dhe për “ofrimin e mbikëqyrjes strategjike, mobilizimin e burimeve ndërkombëtare dhe sigurimin e llogaridhënies, teksa Gaza kalon nga konflikti drejt paqes dhe zhvillimit”.

ShBA-ja njoftoi gjithashtu se ka krijuar një Komitet Kombëtar për Administrimin e Gazës për ta zbatuar fazën e dytë të Planit Gjithëpërfshirës të Trumpit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, krahas një Bordi Ekzekutiv themelues dhe një Bordi Ekzekutiv të Gazës për ta mbështetur komitetin.