Mërgata shqiptare ka dërguar 621 milionë euro në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar një rekord të ri historik të prurjeve nga remitancat.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave tregojnë se dërgesat e emigrantëve u rritën me 16,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke e vijuar tendencën rritëse të flukseve financiare nga emigracioni drejt ekonomisë shqiptare.
Rritja u përshpejtua ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit, kur remitancat arritën në 347 milionë euro, me një zgjerim prej 24 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në terma vjetorë, vetëm në tremujorin e dytë në Shqipëri hynë rreth 67 milionë euro më shumë nga dërgesat e emigrantëve.
Rekordi i ri, prej 621 milionë eurosh në gjashtë muaj, i konsolidon remitancat si një prej burimeve të rëndësishme të hyrjeve valutore në ekonomi, krahas të ardhurave nga eksporti i shërbimeve dhe veçanërisht turizmi.
Flukset e parave nga emigrantët kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e familjeve përfituese dhe në konsumin e brendshëm, ndërsa në nivel makroekonomik kontribuojnë në rritjen e hyrjeve valutore dhe në financimin e nevojave të ekonomisë.




















