Të paktën shtatë palestinezë u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën në sulmet izraelite në Rripin e Gazës gjatë 24 orëve të fundit, tha të mërkurën Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza.
Në një deklaratë, ministria tha se gjatë 24 orëve të fundit në spitalet në gjithë Rripin e Gazës u sollën shtatë viktima, përfshirë pesë palestinezë të vrarë rishtazi dhe dy që humbën jetën nga plagët e marra më herët.
Ajo shtoi se disa viktima kanë mbetur nën rrënoja dhe në rrugë, pasi ekipet e ambulancës dhe mbrojtjes civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek ata.
Ndërkohë, një palestinez u vra në një sulm izraelit me dron që shënjestroi një çadër ku strehoheshin persona të zhvendosur në Khan Younis, në jug të Gazës, tha një burim mjekësor për Anadolu.
Vdekja u raportua veçmas nga bilanci i fundit 24-orësh i Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministria tha se numri i të vrarëve nga shkeljet izraelite të armëpushimit të tetorit të vitit të kaluar është rritur në 1.303, ndërsa 4.336 të tjerë janë plagosur.
Që nga fillimi i sulmeve izraelite ndaj Gazës më 7 tetor 2023, të paktën 73.438 palestinezë janë vrarë dhe 174.447 janë plagosur, sipas ministrisë.
Përveç viktimave, fushata izraelite ka shkaktuar shkatërrime të mëdha, duke dëmtuar rreth 90 për qind të infrastrukturës civile të Gazës, ndërsa OKB-ja vlerëson se kostot e rindërtimit arrijnë në rreth 70 miliardë dollarë.






















