| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Berisha: Unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në ShBA
Në një reagim në rrjetet sociale sot, Berisha ka theksuar se dje u korrigjua një vendim i "padrejtë i administratës së mëparshme të ShBA-së ndaj meje dhe familjes sime", duke iu referuar vendimit të vitit 2021 që nuk e lejonte të hynte në ShBA.
Berisha: Unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në ShBA
Berisha: Unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në ShBA

Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka deklaruar se ai dhe familjarët e tij nuk janë më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). 

Në një reagim në rrjetet sociale sot, Berisha ka theksuar se dje u korrigjua një vendim i "padrejtë i administratës së mëparshme të ShBA-së ndaj meje dhe familjes sime", duke iu referuar vendimit të vitit 2021 që nuk e lejonte të hynte në ShBA.

"Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit (Donald) Trump dhe Sekretarin (Marco) Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros", është shprehur Berisha.

Berisha ka theksuar ndër të tjera se fton anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike "të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë".

Shpallja si person i papërshtatshëm për të hyrë në ShBA

Kujtojmë se në maj të vitit 2021, Berisha u shpall si person i papërshtatshëm për të hyrë në ShBA, duke u konsideruar shpallje si person "non grata".

Vendimi u bë publik në atë kohë nga ish-sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ku ai theksonte se: "Veprimet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minuan demokracinë në Shqipëri. Shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në ShBA".

Gjithashtu, në korrik të vitit 2022 autoritetet britanike morën vendimin për moslejimin e hyrjes së Berishës në Britaninë e Madhe, "për lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë dhe për korrupsion".

Berisha ka mbajtur postin e presidentit të Shqipërisë në vitet 1992-1997 dhe postin e kryeministrit në vitet 2005-2013, ndërsa është zgjedhur deputet në disa legjislatura.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë