Australia shmang thirrjet për arrestimin e presidentit izraelit gjatë vizitës
Herzog është ftuar për një vizitë katërditore, që nis të hënën, për t’u takuar me komunitetin hebre pas sulmit të 14 dhjetorit në një festival të Hanukkah-ut në Sidnei, ku u vranë 15 persona.
Qeveria australiane i shmangu të enjten thirrjet që presidenti izraelit Isaac Herzog të arrestohet gjatë vizitës së tij në vend, ku pritet të nderojë viktimat e një sulmi me armë zjarri në Bondi Beach.
Herzog është ftuar për një vizitë katërditore, që nis të hënën, për t’u takuar me komunitetin hebre pas sulmit të 14 dhjetorit në një festival të Hanukkah-ut në Sidnei, ku u vranë 15 persona.
“Ai duhet të arrestohet nëse vjen,” tha avokati për të drejtat e njeriut Chris Sidoti, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Pavarur Hetimor të OKB-së që po shqyrton shkeljet e të drejtave në Izrael dhe territoret palestineze.
Sidoti ka kërkuar publikisht që ftesa për Herzogun të tërhiqet ose që ai të arrestohet sapo të mbërrijë. Kryeministri Anthony Albanese ka bërë një “gabim të marrë” duke ftuar kreun e shtetit izraelit, tha avokati për AFP.
“Ishte një vendim i gabuar dhe duhet të anulohet para se të jetë tepër vonë.”
E pyetur për thirrjet për arrestimin e Herzogut, ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se ai ishte ftuar nga qeveria në përputhje me dëshirat e komunitetit hebre.
“Presidenti Herzog po ftohet në Australi për të nderuar viktimat e Bondit dhe për të qenë pranë e për të ofruar mbështetje për komunitetin hebre australian pas sulmit terrorist më të rëndë në territorin tonë që kemi parë,” tha ajo.
Aktivistë pro-palestinezë kanë bërë thirrje për protesta në mbarë vendin kundër vizitës së Herzogut, përfshirë në Sidnei, ku policia ka refuzuar të autorizojë demonstrata sipas kompetencave të reja të dhëna pas sulmit në Bondi.
Policia federale australiane njoftoi të enjten se një 19-vjeçar nga Sidnei është akuzuar për bërjen e një “kërcënimi për vrasje” në internet ndaj një kreu shteti të huaj. Policia nuk pranoi të konfirmojë raportimet e mediave lokale se shënjestër ishte Herzog.