| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
BE-ja konfirmon progresin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit
“Ne vazhdojmë ta mbështesim objektivin ose vizionin e Shqipërisë për t'i mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027”, tha komisarja për zgjerim Marta Kos në konferencë për media së bashku me kryeministrin Edi Rama.
BE-ja konfirmon progresin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit
BE-ja konfirmon progresin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit

Shqipëria i ka përfunduar me sukses piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e Themeloreve në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, u bë e ditur gjatë Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE në Bruksel. 

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, morën pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, komisarja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian Marta Kos dhe zëvendësministrja për Çështjet Evropiane e Administratës Greke të Qipros Jugore, Marilena Raouna.

Edi Rama deklaroi se Shqipëria i ka çelur të gjithë kapitujt negociues brenda 11 muajve dhe se procesi ndodhet në një fazë të avancuar. Ai tha se vendi ka kaluar në një fazë ku negociatat përfaqësojnë “fillimin e fundit” dhe se përgjegjësia është rritur.

Ai gjithashtu tha se janë shënuar përmirësime ekonomike, përfshirë rritjen e PBB-së dhe pagave mesatare në sektorin publik dhe privat, si dhe forcimin e institucioneve dhe sistemit të drejtësisë.

Ndërkaq, Marta Kos mbështeti vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe vlerësoi progresin e vendit në procesin e integrimit.

“Ne vazhdojmë të mbështesim objektivin ose vizionin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027”, tha ajo.

Komisarja evropiane tha se Shqipëria i ka përmbushur me sukses piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e Themeloreve dhe se kjo i mundëson vendit të ecë përpara drejt hapave të mëtejshëm në negociata.

Nga ana tjetër, Raouna vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe theksoi se ky zhvillim hap rrugën për nisjen e mbylljes provizore të kapitujve negociues pas përmbushjes së kushteve të tjera.

Ajo theksoi se procesi i zgjerimit është një prioritet strategjik dhe se Shqipëria ka treguar përkushtim në zbatimin e reformave.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë