Amir Rrahmani përfshihet në ekipin më të mirë të Serie A
Në Gran Galà del Calcio 2025, i mbajtur në Milano, mbrojtësi kosovar Amir Rrahmani u vendos në një vijë mbrojtjeje me futbollistë si Denzel Dumfries, Alessandro Bastoni dhe Federico Dimarco.
Futbollisti kosovar, i cili aktualisht luan si mbrojtës te Napoli, u përfshi në formacionin ideal të vitit në Serie A, duke u vlerësuar për paraqitjet e tij të qëndrueshme dhe kontributin në sukseset e skuadrës. Në këtë listë Top XI, Rrahmani zuri vend në mbrojtje së bashku me Dumfries, Bastoni dhe Dimarco.
Mesfushorët e përfshirë ishin Scott McTominay i Napolit, i shpallur Lojtari i Vitit, Nicolò Barella dhe Tijjani Reijnders, ndërsa sulmuesit e Top XI ishin Lautaro Martinez, Moise Kean dhe Mateo Retegui, dy të fundit tashmë të larguar nga Serie A.
Antonio Conte u shpall Trajneri i Vitit, ndërsa Napoli mori çmimin e Klubit të Vitit, duke konfirmuar dominimin e skuadrës gjatë sezonit. Sulmuesi i Interit, Francesco Pio Esposito, fitoi çmimin Italian Golden Boy si talenti më i mirë i ri, ndërsa Nicolò Bertola nga Udinese u vlerësua për paraqitjet e tij në Serie B.
Çmimi “Goli i Vitit” shkoi për Alessandro Deiolën e Cagliarit për një supergol në fitoren 3-0 ndaj Venezias, një realizim i cili ishte nominuar edhe për çmimin FIFA Puskas.
Formacioni ideal i Serie A për vitin 2025 ishte: Svilar; Dumfries, Rrahmani, Bastoni, Dimarco; McTominay, Barella, Reijnders; Lautaro Martinez, Kean, Retegui.