Pas afatit të fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilla të komunave, më shumë kandidatë janë paraqitur për Qytetin e Shkupit, gjegjësisht 18 lista kandidatësh për kryetar të Qytetit të Shkupit dhe 20 lista kandidatësh për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Këtë e ka bërë të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), duke shtuar se gjithsej 312 lista kandidatësh për kryetar komune dhe 575 lista kandidatësh për këshilltarë të komunave janë dorëzuar në komisionet zgjedhore komunale.
Sipas KShZ-së, kjo shifër përfshin listat e kandidatëve nga partitë politike dhe listat e paraqitura nga grup votuesish.
Pasi të përfundojë verifikimi i përmbushjes së kushteve dhe procesi i heqjes së çdo parregullsie ose lëshimi në listat e kandidatëve, komisionet komunale zgjedhore i dorëzojnë listat e konfirmuara në KShZ për përcaktimin e renditjes në listën unike të kandidatëve jo më vonë se data 20 shtator, shpjegojnë nga KSHZ-ja.
Pas përfundimit të procesit të kontrollit të dokumentacionit dhe përmbushjes së kërkesave ligjore KShZ-ja do të publikojë të gjitha listat e konfirmuara sipas komunave që do të marrin pjesë në zgjedhje.
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 19 tetor.