Takimi i Trumpit me shefin e NATO-s u shndërrua në një “tiradë fyerjesh”

Trumpi shprehu frustrimin gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, duke kritikuar aleatët evropianë për refuzimin e mbështetjes së veprimeve të ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

By
Takimi i Trumpit me shefin e NATO-s u shndërrua në një “tiradë fyerjesh” / AA

Një takim me dyer të mbyllura në fillim të kësaj jave midis presidentit të ShBA-së, Donald Trump dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte u shndërrua në një shkëmbim të nxehtë, me një zyrtar evropian që e përshkroi atë si “asgjë tjetër veçse një tiradë ofendimesh”.

“Politico” raportoi të enjten se takimi i cili u mbajt të mërkurën, nxori në pah tensionet në rritje brenda Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut mbi konfliktin me Iranin.

Trump shprehu frustrimin gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, duke kritikuar aleatët evropianë për refuzimin e mbështetjes së veprimeve të ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. “Shkoi (në) dreq”, tha një zyrtar për “Politico”.

“Biseda nuk ishte gjë tjetër veçse një tiradë ofendimesh”, thanë burimet ndërsa Trumpi “me sa duket kërcënoi të bënte pothuajse çdo gjë”, duke sugjeruar hakmarrje të mundshme.

Zyrtarët e njohur me bisedimet thanë se Trumpi dukej se u bëri presion aleatëve për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, megjithëse një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë mohoi çdo kërkesë zyrtare, duke deklaruar: “Siç tha presidenti Trump dje, NATO-ja u testua dhe ata dështuan. Ai nuk ka asnjë pritje për NATO-n në këtë pikë dhe nuk u kërkoi atyre asgjë”.

Vendet e NATO-s thonë se Trumpi e filloi luftën në Iran pa u konsultuar me ta dhe se nuk pati asnjë sulm ndaj ShBA-së për të aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes kolektive të aleancës.

Aleatët ofrojnë mbështetje të kufizuar ndërsa NATO-ja shmang veprimet

Më vonë Trumpi përshkallëzoi kritikat e tij në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, duke shkruar: “NATO nuk ishte aty kur na duhej dhe nuk do të jetë aty nëse na duhet përsëri. Kujtoni Grenlandën, atë copë akulli të madhe, të keq-menaxhuar!!!”.

Anëtarët e aleancës shprehën tronditje vitin e kaluar ndërsa Trumpi rriti kërkesat e tij që Danimarka, një anëtare e NATO-s t’ia dorëzonte territorin e saj të Grenlandës ShBA-së, me presidentin që ndonjëherë sugjeronte se mund të përdorej forca.

NATO-ja thirri Nenin 5 për mbrojtjen kolektive, pikërisht një herë, pas sulmeve terroriste të vitit 2001 ndaj ShBA-së.

Rutte pranoi tensionet e kësaj jave, por e mbrojti shkëmbimin si konstruktiv. “E ndjeva zhgënjimin e tij për faktin se ai ndjeu se shumë aleatë nuk ishin me të”, tha Rutte gjatë komenteve në Uashington.

Ndërkohë, udhëheqësit evropianë sinjalizuan mbështetje të kushtëzuar pas një armëpushimi.

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Gjermania mund të ndihmojë në sigurimin e lundrimit pas paqes ndërsa shefi i Forcave të Armatosura Franceze, Fabien Mandon tha se Franca po shqyrtonte opsione “strikt mbrojtëse”.

Pavarësisht fërkimeve, diplomatët e NATO-s në Bruksel nuk raportuan asnjë vendim operativ pas takimit ndërsa Rutte kërkoi të siguronte se aleanca mbeti e paprekur.

ShBA-ja dhe Irani njoftuan armëpushim dyjavor të martën, të ndërmjetësuar nga Pakistani, si një hap drejt një marrëveshjeje të mundshme më të gjerë për të ndaluar një konflikt të nisur nga Uashingtoni dhe Tel Avivi kundër Teheranit më 28 shkurt që ka lënë mijëra të vrarë dhe të plagosur.

Në dy mandatet e tij jo të njëpasnjëshme si president, Trumpi ka qenë hapur përçmues dhe shpërfillës ndaj NATO-s, dhe ka folur shumë herë për mundësinë e largimit nga aleanca.