Samiti i NATO-s në Tiranë, Vengu: Planifikimi gati deri në maj
Vengu theksoi se paralelisht po punohet edhe për elementin e agjendës politike të samitit, në koordinim me aleatët, ndërsa shtoi se ekziston një bashkëpunim i ngushtë civilo-ushtarak në funksion të përgatitjeve.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi sot se brenda muajit maj do të finalizohet i gjithë aspekti përgatitor për samitin e NATO-s, që do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027.
Gjatë një konference për mediat, Vengu bëri të ditur se planifikimi për organizimin e samitit ka nisur dhe se është ngritur një task-forcë e përhershme, e përbërë nga komponentë civilë dhe ushtarakë, e drejtuar nga një koordinator kombëtar.
“Ecuria është shumë e mirë sa i përket ndërveprimit me forcat e armatosura të vendeve aleate, si forcat holandeze, që e organizuan samitin vitin e shkuar, apo ato turke, që e kanë këtë vit. Në plan kemi që brenda muajit maj të finalizohet i gjithë aspekti parapërgatitor, në mënyrë që çdo institucion i përfshirë – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Garda e Republikës, institucionet e infrastrukturës, agjencitë e inteligjencës etj. – t’i ketë të përcaktuara detyrat që duhet të realizohen këtë vit dhe vitin e ardhshëm për mbarëvajtjen e samitit”, u shpreh Vengu.
Ai theksoi se paralelisht po punohet edhe për elementin e agjendës politike të samitit, në koordinim me aleatët, ndërsa shtoi se ekziston një bashkëpunim i ngushtë civilo-ushtarak në funksion të përgatitjeve.
Bashkëpunimi Shqipëri - Kosovë - Kroaci është në zbatim e sipër
Ministri Vengu, duke iu referuar marrëveshjes Shqipëri-Kosovë-Kroaci në fushën e mbrojtjes, ka deklaruar se bashkëpunimi tripalësh është në zbatim e sipër.
Vengu tha se sa i përket marrëveshjes trepalëshe Shqipëri-Kosovë Kroaci i ndjekin edhe reagimet dhe shpesh herë tha ai ka "një lloj paniku të pajustifikuar nga reagimet e institucioneve në Beograd".
"Ne vazhdojmë punën tonë. Bashkëpunimi trelateral është në zbatim e sipër. Bëmë një takim me homologë të mbrojtjes në Mynyh për të përcaktuar hapa të tjerë që lidhen me prokurimet e përbashkëta në fushën e mbrojtjes, sepse të tria vendet kanë nevoja të ngjashme dhe fuqizohemi duke u bërë bashkë për të pasur kontrata më të mira, më të lira, më në dobi të nevojave që kanë forcat tona. (Për) bashkëpunimin në fushën e industrisë, do të kemi një përfshirje edhe në panairet që po i organizojnë kolegët kroatë, ku synojmë të kemi edhe angazhimin e kompanive tona dhe të Kosovës dhe nga ana tjetër dhe element stërvitor të forcave tona", tha ai.
Duke iu referuar edhe marrëveshjes tripalëshe, ai tha se vazhdojnë t'i bëjnë ftesë të gjitha vendeve të rajonit dhe jo vetëm Serbisë, që sipas tij të jenë prezentë në të gjitha ato mekanizmat e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.