| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Polonia paralajmëron për eskalim të mundshëm nga Rusia në krahun lindor të NATO-s
"Unanimisht ndajmë mendimin se situata është shumë e paqëndrueshme dhe se në javët dhe muajt e ardhshëm mund të priten forma të ndryshme eskalimi", u tha kryeministri polak gazetarëve.
Polonia paralajmëron për eskalim të mundshëm nga Rusia në krahun lindor të NATO-s
Polonia paralajmëron për eskalim të mundshëm nga Rusia në krahun lindor të NATO-s

Vendet që kufizohen me Rusinë duhet të përgatiten për "forma të ndryshme eskalimi", pasi situata e sigurisë në krahun lindor të NATO-s mbetet "shumë e paqëndrueshme", paralajmëroi të enjten kryeministri polak Donald Tusk.

Duke folur pas takimit të liderëve të krahut lindor të NATO-s në qytetin verior polak Gdansk, Tusku tha se vendet që kufizohen me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën përballen me sfida të përbashkëta të sigurisë dhe duhet të koordinojnë përgjigjet e tyre.

"Unanimisht ndajmë mendimin se situata është shumë e paqëndrueshme dhe se në javët dhe muajt e ardhshëm mund të priten forma të ndryshme eskalimi", u tha kryeministri polak gazetarëve.

Takimi, i mbajtur në kuadër të Konferencës për Rimëkëmbjen e Ukrainës, mblodhi liderë nga Polonia, Rumania, Estonia, Letonia, Lituania, Finlanda dhe Suedia, duke pasqyruar shqetësimin në rritje mes anëtarëve të NATO-s në vijën e parë të frontit lidhur me qëndrimin ushtarak rus dhe aktivitetet hibride.

Tusku tha se vendet pjesëmarrëse janë "drejtpërdrejt të ekspozuara" ndaj kërcënimeve të mundshme për shkak të pozicionit të tyre gjeografik dhe se do të bashkëpunojnë ngushtë nëse situata e sigurisë përkeqësohet.

"Kjo të jetë paralajmërim për të gjithë ata që planifikojnë diçka të dëmshme kundër ndonjërit prej nesh ose vendeve tona", tha ai, duke theksuar se liderët treguan "unitet të plotë dhe solidaritet të plotë".

Tusku nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të forta transatlantike, pavarësisht pasigurisë në rritje rreth politikës amerikane ndaj Evropës nën presidentin Donald Trump.

"Të gjithë ndajmë qëndrimin se lidhjet transatlantike dhe bashkëpunimi sa më i ngushtë i mundshëm i mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë angazhim të vazhdueshëm", tha ai, duke shtuar se i njëjti mesazh do të paraqitet në samitin e NATO-s muajin e ardhshëm në Ankara.

"Askush këtu nuk ka dyshim se prania amerikane dhe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara i shërbejnë sigurisë së Evropës dhe vendeve tona", shtoi ai.

Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, paralajmëroi këtë javë se Moska mund të kryejë një sulm nën flamur të rremë për të justifikuar eskalim të mëtejshëm, pasi presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi me hakmarrje kundër vendeve evropiane që supozohet se janë të përfshira në sulmet me dronë mbi territorin rus.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë