Türkiye po i përballon me besim pasiguritë globale ndërkohë që po zbaton masa të reja ligjore, administrative dhe fiskale për të forcuar mjedisin e investimeve, tha Zëvendëspresidenti turk, Cevdet Yilmaz
Duke folur në konferencën për media "Fuqia e investimeve në Shekullin e Türkiyes" në kryeqytetin Ankara, Yilmaz tha se zyrtarët u mblodhën për të informuar publikun mbi masat e shpallura të premten e kaluar nga Presidenti Recep Tayyip Erdoğan për ta rritur konkurrueshmërinë dhe mjedisin e investimeve të vendit.
Yilmaz theksoi se ekonomia globale po përjeton një nivel të lartë pasigurie, me tensionet gjeopolitike që po intensifikohen në disa rajone.
Zëvendëspresidenti turk vuri në dukje se rreziku i përshkallëzimit mes Iranit dhe Izraelit - së bashku me përfshirjen e ShBA-së - ka shtuar presion mbi një mjedis tashmë të brishtë, duke shtuar se këto zhvillime ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet e energjisë, rrugët tregtare dhe kushtet financiare globale.
Yilmaz theksoi se në një mjedis të tillë të fragmentuar, qëndrueshmëria, parashikueshmëria dhe kapaciteti prodhues janë bërë faktorë vendimtarë që përcaktojnë drejtimin e investimeve globale.
Ai tha se Türkiye e ka menaxhuar këtë mjedis me besim dhe disiplinë, duke shtuar se qeveria ka ndërmarrë masat e nevojshme për të zbutur ndikimet e mundshme të zhvillimeve rajonale në ekonomi dhe për të siguruar funksionimin e rregullt dhe të shëndetshëm të tregjeve.
Ai u shpreh se vendi vazhdon të ruajë stabilitetin makroekonomik duke forcuar bazën prodhuese dhe duke mbajtur një trajektore të qëndrueshme rritjeje.
"Türkiye dallohet si një partner i qëndrueshëm, i parashikueshëm dhe i besueshëm për investime dhe aktivitet industrial" tha Yilmaz.
Ai theksoi se vendi ofron një ekosistem konkurrues dhe të konsoliduar për investitorët, i mbështetur nga infrastruktura e fortë industriale, kapacitetet e avancuara logjistike dhe integrimi i thellë në zinxhirët globalë të vlerës.
Pozicioni strategjik i Türkiyes në kryqëzimin e Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme ofron një avantazh të veçantë ndërsa zinxhirët globalë të furnizimit po riformësohen, shtoi ai, duke theksuar se vendi po shfaqet gjithnjë e më shumë si një qendër kryesore për prodhim, tregti dhe shpërndarje.
"Po zbatojmë masa të reja ligjore, administrative, fiskale dhe institucionale me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së vendit tonë dhe forcimin e klimës së investimeve", tha Yılmaz.




















