Aeroporti i Frankfurtit po përballet me mungesë të vajgurit për avionë, duke detyruar avionët e aviokompanisë “Lufthansa” të marrin karburant shtesë para mbërritjes në aeroport, sipas raportimeve të mediave gjermane dhe deklaratave të kompanive të përfshira.
Sipas “Lufthansa”-s, një nga arsyet e furnizimit të kufizuar me vajgur në aeroportin më të madh të Gjermanisë është kapaciteti i reduktuar i tubacionit të furnizimit.
“Fraport”, kompania që menaxhon aeroportin e Frankfurtit, tha se aktualisht po kryhen punime të rregullta mirëmbajtjeje në një tubacion që furnizon aeroportin edhe me karburant për avionë. Megjithatë, nuk priten ndërprerje, pasi ekzistojnë rrugë alternative furnizimi dhe kapacitete të mjaftueshme për ruajtjen e karburantit.
“Prandaj, funksionimi i aeroportit nuk do të ndikohet”, tha “Fraport”. Ndërkohë, gazeta e përditshme “Bild” përmendi nivelin e ulët të ujit në lumin Rajna si një tjetër faktor të mundshëm që ndikon në furnizim, pasi anijet cisternë mund të lundrojnë në lumë vetëm me ngarkesë të kufizuar.
“Lufthansa” ka marrë masa paraprake për të garantuar vazhdimësinë e fluturimeve. Këto përfshijnë marrjen e karburantit shtesë nga avionët në disa linja para nisjes drejt Frankfurtit.
Sipas “Bild”-it, udhëzimet për avionët e familjes “Airbus A320” përcaktojnë një kufi maksimal prej tetë tonësh metrikë karburant shtesë. Në të njëjtën kohë, planifikimi i fluturimeve duhet të sigurojë që pesha shtesë të mos sjellë kufizime në transportin e pasagjerëve ose të mallrave.
“Lufthansa” theksoi se masat synojnë ta garantojnë funksionimin e rregullt të fluturimeve. Ato do të mbeten në fuqi deri në një njoftim të mëtejshëm dhe do të përshtaten në varësi të zhvillimit të situatës.




























