| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hoxha - Sorensenit: Dialogu, çelësi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Shefi i diplomacisë shqiptare në takim me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë nënvizoi se Kosova mbetet e ankoruar ndaj integrimit evropian dhe se ky angazhim duhet të reflektohet me dhënien e statusit të vendit kandidat në BE.
Hoxha - Sorensenit: Dialogu, çelësi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Hoxha - Sorensenit: Dialogu, çelësi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. / Ferit Hoxha / X

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Pragë me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sørensen.

Në takimin e zhvilluar në kuadër të Forumit GLOBSEC, Hoxha vlerësoi kontirbutin dhe angazhimin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e reformave demokratike, forcimin e institucioneve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. 

Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi se Kosova mbetet e ankoruar ndaj integrimit evropian dhe plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Sipas Hoxhës, ky angazhim duhet të reflektohet duke i dhënë statusin e vendit kandidat në BE.

Kryediplomati u shpreh se roli i BE-së dhe i të dërguarit të posaçëm për dialogun mbetet thelbësor për avancimin e procesit dialogal ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se Shqipëria qëndron pas këtyre përpjekjeve.

Ai tha gjithashtu se ndërtimi dhe ruajtja e besimit mes palëve është element kyç në përparimin e dialogut, si edhe kërkoi përgjegjësi të plotë për sulmin në Banjskë, duke e konsideruar si “thelbësor për forcimin e sigurisë, besimit dhe stabilitetit në rajon”.

Hoxha përsëriti se dialogu është e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe një parakusht për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin afatgjatë në rajon.

Ministri siguroi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht procesin e dialogut dhe mbetet e gatshme të japë kontribut konstruktiv në këtë drejtim.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë