Kurti zhvillon bisedë telefonike me Kos: Integrimi në BE mbetet prioritet kyç i Kosovës

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, bëhet e ditur se u potencua se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet kyç i Qeverisë së Kosovës.

By
Kurti zhvillon bisedë telefonike me Kos: Integrimi në BE mbetet prioritet kyç i Kosovës / Kosova Press

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, me ç’rast kanë biseduar për zgjerimin dhe ecurinë e reformave të Kosovës drejt integrimit në Bashkmin Evropian.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, bëhet e ditur se u potencua se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet kyç i Qeverisë së Kosovës.

“Kryeministri nënvizoi rëndësinë e marrjes së statusit kandidat si hap të rëndësishëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Po aty thuhet se kryeministri Kurti theksoi se ndër vendimet e para të Kuvendit të Republikës së Kosovës, krahas miratimit të buxhetit të ri në vlerë prej 4 miliardë euro, ishte edhe miratimi i Planit të Rritjes në vlerë prej 882.6 milionë euro, i cili synon përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Pas miratimit të Planit të Rritjes, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraparë një sërë hapash për zbatim, të ndërlidhur ngushtë me kalimin e ligjeve në Kuvend, që kapin vlerën rreth 90 milionë euro.”

Kurti dhe Kos, bëhet e ditur se folën edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, duke kujtuar faktin se Kosova është e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i është bashkuar të gjitha pakove të sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.