Në Shqipëri është zhvilluar sërish sot protestë mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës dhe kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura apo në rastet kur pretendohet pronësia nga qytetarë.
Protesta me moton "Shqipëria nuk është në shitje", e cila është e iniciuar nga aktivistë dhe e mbështetur nga qytetarët, ka filluar në Sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Në fund protestuesit kanë qëndruar edhe para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec.
Gjatë një proteste në fundjavë në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar.
Në lidhje me çështjen, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme Rama u ka bërë thirrje protestuesve për bashkëbisedim.
Gjithashtu në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërkohë prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.
Qytetarët dhe aktivistët kundërshtojnë ndërtimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe kërkojnë transparencë për projekte të tilla, ndërkohë kanë paralajmëruar vijimin e protestave.






















