Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) njoftoi të martën se ka kryer natën e 11-të radhazi të sulmeve ndaj Iranit.
"Nën komandën e CENTCOM-it u goditën qendrat e operacioneve ushtarake të Iranit, kapacitetet detare, hangarët e avionëve, objektet e magazinimit të dronëve dhe infrastruktura logjistike ushtarake, për të dobësuar më tej aftësinë e Iranit për të kërcënuar lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit", thuhet në deklaratë.
Sipas CENTCOM-it, gjatë tre muajve të fundit Irani ka sulmuar më shumë se 30 anije tregtare që kalonin në këtë rrugë ujore ndërkombëtare.
"Pavarësisht agresionit iranian, Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për kalimin e anijeve tregtare", thuhet më tej.
Komanda shtoi se, që nga fillimi i muajit maj, forcat amerikane kanë ndihmuar në lehtësimin e kalimit të rreth 900 anijeve tregtare dhe transportimin e afro 450 milionë fuçive naftë bruto përmes rajonit.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit në shkurt. Irani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa ndaj vendeve të Gjirit që strehojnë baza dhe mjete ushtarake amerikane.
ShBA-ja dhe Irani nënshkruan muajin e kaluar një memorandum mirëkuptimi, të ndërmjetësuar nga Pakistani, për t'i dhënë fund konfliktit dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje. Megjithatë, tensionet u rritën sërish javën e kaluar për shkak të Ngushticës së Hormuzit, me të dyja palët që shkëmbyen sulme.























