Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Kaja Kallas, të martën bëri thirrje për sanksione kundër Izraelit për të ushtruar presion mbi qeverinë që të ndalojë sulmet në Gaza, duke paralajmëruar se situata humanitare po përkeqësohet.
“Ofensiva tokësore e Izraelit në Gaza do ta përkeqësojë situatën tashmë të dëshpëruar. Kjo do të nënkuptojë më shumë vdekje, më shumë shkatërrime dhe më shumë zhvendosje,” shkroi Kallas në platformën e mediave sociale X, me seli në ShBA.
Ajo shtoi se Komisioni Evropian do të mblidhet të mërkurën për të diskutuar mbi masat e mundshme, përfshirë pezullimin e koncesioneve tregtare dhe vendosjen e sanksioneve ndaj ministrave izraelitë ekstremistë dhe kolonëve të dhunshëm.
“Pezullimi i koncesioneve tregtare dhe vendosja e sanksioneve ndaj ministrave ekstremistë dhe kolonëve të dhunshëm do të dërgonte një sinjal të qartë se BE-ja kërkon përfundimin e kësaj lufte,” shtoi ajo.
Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se do të propozojë një paketë masash kundër Izraelit, përfshirë pezullimin e mbështetjes bilaterale, pezullimin e pjesshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe vendosjen e sanksioneve ndaj ministrave ekstremistë.
Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale në Rripin e Gazës, duke vrarë gati 65.000 palestinezë që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe ekspertët kanë shpallur gjendjen e urisë në Rripin e Gazës.