| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Zv.kryeministri i RMV-së: Integrimi në BE duhet të shoqërohet me rezultate konkrete për qytetarët
Zv.kryeministri dhe ministri i Çështjeve Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, diskutoi në Bruksel me komisioneren Kos se integrimi gradual në BE duhet të shoqërohet me rezultate konkrete dhe përfitime të prekshme për qytetarët.
Zv.kryeministri i RMV-së: Integrimi në BE duhet të shoqërohet me rezultate konkrete për qytetarët
Zv.kryeministri i RMV-së: Integrimi në BE duhet të shoqërohet me rezultate konkrete për qytetarët / َAA

Zv.kryeministri dhe ministri i Çështjeve Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka diskutuar në Bruksel me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, për perspektivën evropiane të vendit dhe mundësitë që ofron qasja e re e Bashkimit Evropian (BE) ndaj procesit të zgjerimit.

Në një postim në rrjetet sociale, Sali theksoi se integrimi gradual në BE duhet të shoqërohet me rezultate konkrete dhe përfitime të prekshme për qytetarët.

“Evropa duhet të ndihet më afër qytetarëve tanë, jo vetëm përmes premtimeve, por përmes rezultateve konkrete”, shkroi Sali.

Ai vlerësoi se integrimi gradual ofron mundësi që reformat të shndërrohen në përfitime të prekshme, duke përmendur pagesat më të lira përmes Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA), përmirësimin e lidhjeve digjitale, mundësitë e reja për bizneset dhe qasjen në programet evropiane.

“Vendi ynë është i përkushtuar të vazhdojë reformat. Njëkohësisht, besojmë se përparimi duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave dhe të shoqërohet me hapa konkretë drejt anëtarësimit”, tha ai.

Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë që komisonerja Kos pati mundësinë të komunikojë drejtpërdrejt me mediat nga Maqedonia e Veriut përmes një interviste kushtuar perspektivës evropiane të vendit.

“Integrimi evropian duhet të jetë një proces që qytetarët e shohin, e ndiejnë dhe përfitojnë prej tij”, theksoi Sali.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë