| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Nuk ndalen protestat për Zvërnecin në Tiranë, hyjnë në ditën e 18-të
Mijëra protestues janë mbledhur sërish në Tiranë, duke e kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.
Nuk ndalen protestat për Zvërnecin në Tiranë, hyjnë në ditën e 18-të
Nuk ndalen protestat për Zvërnecin në Tiranë, hyjnë në ditën e 18-të / AA

Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës, kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura dhe sipas protestuesve kundër qeverisjes në vend, duke hyrë në ditën e 18-të.

Mijëra protestues janë mbledhur sërish në Tiranë, duke e kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.

Në vend ka pasur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump, duke shkaktuar reagime dhe protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Protestuesit edhe sot janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbeu”, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër qeverisë Rama. Pas qëndrimit disa orë në bulevard, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit.

Për Anadolu disa nga protestuesit janë shprehur se do të vazhdojnë protestat dhe se kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Protestuesi: Sazani dhe Zvërneci është toka e shqiptarëve

Klaudjo Ibraliu, 19 vjeç, thekson se ka ardhur në protestë sepse, sipas tij, shumë të rinj dhe të reja janë gënjyer nga premtimet e kryeministrit Rama, duke shtuar se ka pasur shumë gënjeshtra dhe mashtrime.

“Shumë gjëra na ka premtuar (Rama), por nuk i ka mbajtur. Edhe për popullin ka marrë shumë vendime të gabuara, shumë vendime që ne nuk na kanë pëlqyer, sidomos për Sazanin dhe Zvërnecin, që është toka jonë, që është toka e shqiptarëve, nuk është tokë e Izraelit, ajo është toka jonë. Me protestën kërkojmë të arrijmë që të japë dorëheqje si kryeministër. Të anulojë projektet e Sazanit dhe Zvërnecit", tha Ibraliu.

Ibraliu u shpreh ndër të tjera se do të vazhdojnë protestën derisa Rama të japë dorëheqjen.

“Do të vazhdojmë të protestojnë çdo ditë

Bib Lleshi, 34-vjeç, është një tjetër protestues i cili shprehet se është koha që të largohen të gjithë politikanët.

"Në radhë të parë taksojnë shqiptarët e Kosovës. Edi Rama fol për turizëm, por takson dy milionë kosovarë çdo vit, çdo verë. Ky është krimi më i madh. Gjithçka (kërkojmë të ndryshohet), gjithë politika, është koha që të largohen të gjithë, jo vetëm një, por i gjithë parlamenti. Rama vetëm të largohet, normalisht që e kërkojmë (dorëheqjen e kryeministrit Rama)", u shpreh Lleshi,

Lleshi theksoi se do të vazhdojnë të protestojnë çdo ditë, sipas tij, derisa të largohet kryeministri Rama.

Të iniciuara nga aktivistë dhe të mbështetura nga qytetarët, protesta është zgjeruar në ditët e fundit edhe mbi çështje të tjera, si shfuqizimin kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin ligjit të njohur si "Paketa e Maleve" dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Në lidhje me këtë çështje, në ditët e fundit janë organizuar protesta të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit, ndërkohë janë mbajtur protesta edhe nga shqiptarët që jetojnë në disa vende të Evropës.

Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.

Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë