| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kina “nuk ka frikë” nga lufta tregtare pas kërcënimeve të Trumpit për tarifa të reja
Pekini premton t'i mbrojë interesat e veta ndërsa ShBA-ja planifikon tarifa 100 për qind dhe kufizime të eksportit të softuerëve për shkak të mosmarrëveshjes mbi mineralet e rralla.
Kina “nuk ka frikë” nga lufta tregtare pas kërcënimeve të Trumpit për tarifa të reja
Kina “nuk ka frikë” nga lufta tregtare pas kërcënimeve të Trumpit për tarifa të reja / AA
12 Tetor 2025

Pekini deklaroi të dielën se “nuk ka frikë” nga një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi Presidenti Donald Trump kërcënoi me vendosjen e tarifave të reja dhe kufizimeve të eksportit ndaj Kinës, raportoi Global Times.

Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë tha se “kërcënimet arbitrare me tarifa të larta” nuk janë mënyra e duhur për të negociuar me Kinën, duke theksuar se pozicioni i Pekinit mbi këtë çështje mbetet i pandryshuar.

“Ne nuk e duam (luftën tregtare), por nuk kemi frikë prej saj”, tha zëdhënësi. “Kina mbron me vendosmëri sigurinë e saj kombëtare dhe sigurinë e përbashkët ndërkombëtare, mban një qëndrim të drejtë dhe të arsyeshëm parimor dhe zbaton masat e kontrollit të eksportit me kujdes dhe maturi”.

Tarifat e reja të Trumpit

Deklaratat erdhën pas njoftimit të Trumpit të premten se Uashingtoni do të vendosë tarifa të reja prej 100 për qind për importet kineze dhe do ta kufizojë eksportin e “softuerëve kritikë” duke filluar nga 1 nëntori 2025, ose më herët nëse Pekini ndërmerr masa shtesë.

Trumpi bëri këtë njoftim në Truth Social, duke thënë se vendimi ishte përgjigje ndaj “veprimit të paparë” të Kinës për të ashpërsuar kufizimet e eksportit të mineraleve të rralla.

Të enjten, Kina zgjeroi kufizimet e saj të eksportit për mineralet e rralla, duke përfshirë teknologjitë për përpunim dhe prodhim, si edhe bashkëpunimet me kompani të huaja pa miratim paraprak nga qeveria.

Ministria e Tregtisë deklaroi se këto masa janë krijuar për të mbrojtur sigurinë kombëtare përmes rregullimit të eksporteve të teknologjive të lidhura me mineralet e rralla, përfshirë nxjerrjen, shkrirjen, ndarjen dhe riciklimin.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë