Në Republikën Turke të Qipros Veriore (RTQV) është zhvilluar një program për përkujtimin e përpjekjes së dështuar për grusht shteti të Organizatës Terroriste Fetullah (FETO) në vitin 2016, e shënuar si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar më 15 korrik.
Veprimtaria, e organizuar nga Zyra Përfaqësuese e RTQV-së e Unionit të Demokratëve Ndërkombëtarë (UID), nderoi personat që humbën jetën gjatë përpjekjes së dështuar për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016.
Programi, i mbajtur në Kopshtin Kombëtar në Lefkosa, u ndoq nga kryetari i Parlamentit të RTQV-së, Ziya Ozturkler, ambasadori turk në Lefkosa, Ali Murat Basceri, ministra të kabinetit, deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Pas një minute heshtjeje, intonimit të himnit kombëtar turk dhe leximit të Kuranit, kryetari rajonal i UID-së në RTQV, Fadil Sanverdi, tha se personat e vrarë gjatë përpjekjes për grusht shteti e sakrifikuan jetën për kombin dhe i nderoi viktimat duke shprehur mirënjohje për veteranët.
Ambasadori Basceri tha se FETO i kishte manipuluar vlerat kombëtare dhe shpirtërore të njerëzve dhe kishte synuar ta cenonte vullnetin e popullit përmes institucioneve ku ishte infiltruar.
“Më 15 korrik të vitit 2016, FETO-ja u ndesh me vullnetin e popullit. Ky komb dëshmoi edhe një herë më 15 korrik tw vitit 2016 se askush nuk mund ta tradhtojë vullnetin e tij, demokracinë e tij, republikën e tij të themeluar mbi parimet dhe reformat e Ataturkut apo shtetin e tij”, tha Basceri.
Basceri tha se populli i RTQV-së ishte mbledhur pranë ambasadës turke natën e përpjekjes për grusht shteti për ta shprehur solidaritetin e tij me Türkiyen.
Ozturkler, nga ana e tij, tha se “përpjekja tradhtare për grusht shteti kundër atdheut tonë u pengua falë udhëheqjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe rezistencës legjendare të kombit turk”.
Ai shtoi se populli qipriot turk, si gjithmonë, qëndroi pranë Türkiyes dhe i mbështeti ata që e mbrojtën demokracinë kundër organizatorëve të grushtit të shtetit.
Programi përfshiu gjithashtu një bisedë me Cevat Olcokun, vëllain e Erol Olcokut, një prej viktimave të 15 korrikut, e ndjekur nga një performancë muzikore nga këngëtari turk i muzikës popullore Ugur Isilak.























