| Albanian
SPORT
2 minuta leximi
Maran publikon listën e parë të lojëtarëve si trajner i Shqipërisë për dy miqësoret e qershorit
Tekniku kuqezi, Rolando Maran, ka grumbulluar 27 lojtarë për këto dy ndeshje. Ndeshja miqësore e Shqipërisë ndaj Izraelit është programuar më 3 qershor, ndërsa më 6 qershor ndaj Luksemburgut.
Maran publikon listën e parë të lojëtarëve si trajner i Shqipërisë për dy miqësoret e qershorit
Maran publikon listën e parë të lojëtarëve si trajner i Shqipërisë për dy miqësoret e qershorit / AA

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Rolando Maran, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet miqësore të qershorit, ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.

Tekniku kuqezi ka grumbulluar 27 lojtarë për këto dy ndeshje, ndërkohë kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht grumbullimin më 1 qershor. Në një konferencë për mediat në Tiranë, Maran i konsideroi dy ndeshjet miqësore si shumë të rëndësishme.

"Do të jenë dy ndeshje të rëndësishme për përgatitjen ekipit për në vazhdim. Kam punuar për të kuptuar pak më mirë se si është gjendja e lojtarëve. Jam i bindur që me punën që do të bëjmë në fushë do të ndihmojmë gjithë skuadrën që të arrijë tek goli", tha ai.

Lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar përfshin si portierë: Alen Sherri, Simon Simoni dhe Pano Qirko.

Në mbrojtje: Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Bujar Pllana, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj dhe Andi Hadroj.

Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Taulant Seferi dhe Anis Mehmeti.

Sulmues: Mirlind Daku, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi.

Kjo është lista e parë e lojtarëve të grumbulluar në Kombëtaren e Shqipërisë për trajnerin Maran, pasi ai u prezantua zyrtarisht si trajner i ekipit kuqezi disa ditë më parë.

Kombëtarja shqiptare fillon zyrtarisht grumbullimin më 1 qershor, ku do të stërvitet në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.

Ndeshja miqësore e Shqipërisë ndaj Izraelit është programuar më 3 qershor, ndërsa më 6 qershor ndaj Luksemburgut. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë