UNT-ja prezantoi Asistenten Virtuale “Nënë Tereza”
“Kjo asistente digjitale nuk është vetëm një teknologji e re, ajo është shenjë e përkushtimit tonë për t’u shërbyer studentëve me cilësi dhe përgjegjësi”, tha rektori UNT-së, Bekim Fetaji.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup prezantoi së fundmi Asistenten Virtuale “Nënë Tereza”, një platformë inovative e inteligjencës artificiale që do të ofrojë ndihmë dhe orientim për studentët, stafin akademik dhe vizitorët në tri gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht.
Asistentja Virtuale u prezantua në një eveniment solemn të mbajtur në UNT, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, profesorë, studentë dhe media.
Ngjarja u moderua nga Genta Spahiu Mirzo, e cila theksoi rëndësinë e këtij projekti si hap drejt digjitalizimit të shërbimeve universitare dhe lehtësimit të qasjes në informacione dhe procedura akademike.
Rektori i UNT-së, Bekim Fetaji, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi se: “Me Asistenten Virtuale ‘Nënë Tereza’, Universiteti ynë hyn në një fazë të re të transformimit digjital. Qëllimi është që çdo student dhe çdo punonjës të ketë qasje të menjëhershme në informacione, pa barriera dhe pa vonesa. Ky mjet do ta përmirësojë komunikimin, do të rrisë efikasitetin dhe do ta afrojë Universitetin me standardet më të avancuara ndërkombëtare.”
Ai shtoi se implementimi i kësaj platforme është i rëndësishëm jo vetëm për informata, por edhe për forcimin e kulturës së komunikimit dhe transparencës brenda institucionit: “Kjo asistente digjitale nuk është vetëm një teknologji e re, ajo është shenjë e përkushtimit tonë për t’u shërbyer studentëve me cilësi dhe përgjegjësi”, tha rektori UNT-së.
Asistentja Virtuale “Nënë Tereza” siç u tha gjatë këtij eventi është krijuar për të siguruar qasje të shpejtë në informacione akademike dhe administrative, për ta thjeshtuar orientimin në shërbimet universitare dhe për të lehtësuar përdorimin e platformave akademike.